Të katërtit në listë – Tregtia e ushqimeve me BE, Shqipëria pas në rajon, kryeson për peshkun

Bashkimi Europian importoi nga Shqipëria ushqime në vlerën e 181 milionë eurove gjatë vitit 2016 tregojnë të dhënat e fundit të Eurostat sa i përket tregtisë me vendet partnere vetëm për sektorin ushqimor, ku përfshihen ushqimet e përpunuara, perimet dhe frutat, mishi, peshku, drithërat, etj.
Ushqimet, kafshët e gjalla dhe peshku janë produktet kryesore që Europa merr nga Shqipëria. Kur bëhet fjalë për peshkun dhe produktet e tjera të detit, Shqipëria është e para në rajon, me 51 milionë euro në vit.
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, që së bashku me Shqipërinë përbëjnë atë që njihet si gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, vendi ynë është i katërti në listë, si partner tregtar, duke lënë pas vetëm Kosovën dhe Malin e Zi.
Edhe kur bëhet fjalë për produktet që vendi jonë ka importuar nga 28-tëshja e Bashkimit Europian gjatë së njëjtës periudhë kohore, jemi të 4-tit në listë, duke lënë pas po Kosovën dhe Malin e Zi.
Në total, importet e Shqipërisë nga vendet e Bashkimit Europian prekin shifrën e 457 milionë euro në vit, me një rritje konstante në krahasim me vitin e mëparshëm. Edhe në drejtim të atyre që importojmë, jemi të parët në rajon për produktet e peshkut, duke importuar 37 milionë euro në vit.
Një tjetër e dhënë interesante që vihet re, është fakti se, në harkun e 6 viteve, importet shqiptare drejt vendeve të Bashkimit Europian në kategorinë e fruta perimeve janë rritur në masën 300%.
Në vitin 2010 fiksoheshin në vetëm 10 milionë euro, ndërkohë që në fund të 2016-ës fiksoheshin në 29 milionë euro. Progresi është i dukshëm nga viti në vit, pro diferenca me fqinjët është ende e theksuar, e sidomos me Maqedoninë, tregtia është tre herë më e madhe.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.