Të rinjtë në kërkim të një pune – 15 mijë aplikantë për 300 vende pune në DAP

Papunësia mbetet një ndër problemet kryesore tek të rinjtë e sapodiplomuar në vendin tonë. Rreth 15 mijë të rinj kanë aplikuar vitin e fundit për 300 pozicionet e shpallura vakante nga Departamenti i Administratës Publike.
Në një intervistë për TV SCAN, ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike Milena Harito theksoi se nga 50 mijë aplikime të bëra që nga viti 2014 deri në 2017-ën, pjesa më e madhe e aplikantëve janë të rinj.
“Që nga Shtatori 2014, kur ne kemi filluar këtë sistem të ri rekrutimi, kemi mbi 50 mijë kandidatura. Janë rekrutuar nga jashtë administratës publike pothuajse 2 mijë vetë, me procedura krejtësisht transparente, të kontrollueshme. Ndër personat e rekrutuar në këtë sistem, rreth 50% e tyre kanë qenë të rinj të porsadiplomuar, ose me shumë pak eksperiencë pune”, u shpreh Harito.
Drejtoresha e DAP Albana Koçiu u shpreh se në Administratën Publike për vitin 2017 janë mbi 1 mijë vende të lira, ku po punohet për rekrutimin e të rinjve të cilët plotësojnë kriteret për t’u bërë pjesë.
“Janë pikërisht këto vende pune, të cilat janë të mundura për të konkurruar një i ri, i cili sapo ka marrë një diplomë dhe dëshiron të provojë veten e tij. Mund të them se nga afro 15 mijë aplikime për këto vende pune, ne arritëm të plotësojmë nevojat tona dhe arritëm të plotësojmë edhe kërkesat për institucionet të cilat kishin nevojë për kandidatë të rinj edhe për punonjës”, tha Koçiu për SCAN.
Në kuadër të javës së inovacionit, Ministria e Inovacionit së bashku me DAP kanë nisur fushatën ndërgjegjësuese nëpër universitete, për të rritur aplikimet në radhët e studentëve të sapodiplomuar.
Sipas DAP aktualisht janë rreth 1000 vende të lira pune, prej të cilave 675 janë në nivelin specialist dhe rreth 30% e këtyre vendeve të punës janë për profilin shkenca shoqërore.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.