“Të sigurt me biçikletë” – Fondacioni EDS dhuron 10 biçikleta për Policinë e Tiranës
“Të sigurt me biçikletë” është programi që mbështetet nga ambasada Suedeze për forcimin e policimit në komunitet. Në këtë kuadër Fondacioni EDS ka dhuruar 10 biçikleta për policinë e Tiranës. Në një kohë kur zhvillimi i qytetit ecën me ritme të shpejta dhe politikat janë të prirura drejt promovimit të lëvizjes me biçikletë, të njëjtin hap duhet të ndjekë edhe policia për të garantuar siguri për të gjithë përdoruesit e këtij mjeti.
Drejtori i Policisë së Tiranës Dhimitraq Ziu u shpreh se në kryeqytet ka tre vite që funksionon qarkullimi me biçikletë. Por projekte dhe dhurime të tilla bëjnë të mundur që të rritet besueshmëria dhe cilësia e shërbimit për qytetarët.
Themeluesi i Fondacionit EDS Renis Tërshana u shpreh se po përpiqen që si fondacione të japin kontributin e tyre për sigurinë në rrugë sa i përket qarkullimit me biçikleta.
Mbështetja e policisë së Tiranës me këtë dhurim vjen edhe si rezultat i rritjes së qarkullimit me biçikleta. Ambasada Suedeze ka edhe 10 projekte të tjera për të realizuar me policinë e Tiranës në kuadër të forcimit të policimit në komunitet.
Vlera e këtyre projekteve shkon në 100 milionë euro. Ndërkohë që dhurimi i biçikletave nga Fondacioni EDS për policinë e Tiranës është ndër tre projektet që është realizuar më shpejt.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.