“The Telegraph” për Shqipërinë: Turizmi është ende në embrion, duhet aeroport në jug
“The Telegraph” është media prestigjioze e radhës që ka shkruar për bukuritë e Shqipërisë dhe parajsën e fshehur të Europës.
Madje, e përditshmja britanike shkon edhe më tej, duke e krahasuar bregdetin shqiptar me atë amalfitan të Napolit në Itali. Shkrimi vjen në formën e një pyetje; A është Shqipëria përgjigja e Europës Lindore ndaj bregdetit amalfitan?
Ky shkrim vjen në prag të fillimit të fluturimeve të para direkte mes Tiranës dhe Londrës, nga një kompani low cost, ç`ka mund të bëjë që interesi i turistëve britanikë të kanalizohet pse jo, drejt vendit tonë.
Duke qenë se, destinacioni kryesor i turistëve të huaj janë plazhet e jugut të Shqipërisë, udhëtimi nga aeroporti Nënë Tereza zgjat rreth 5 orë, thuhet në shkrim, ku nënvizohet edhe fakti se për fat, është aeroporti i Korfuzit, që mund të shërbejë si tranzit drejt portit të Sarandës.
Pra, “The Telegraph” vë edhe theksin te mungesa e një aeroporti në jug të vendit, pikërisht në kulmin e debatit mbi këtë aeroport, që duket se do të realizohet nga një konsorcium turk.
Në shumë mënyra, turizmi në Shqipëri mbetet ende foshnjarak, thuhet më tej mes rreshtave.
Më tej shkrimi vijon me bukuritë e rivierës shqiptare, me çmimet mjaft të lira që ofron turizmi në vendin tonë, si dhe faktin që Shqipëria sot është një perlë për faktin se është ende e panjohur për publikun e gjerë të turistëve europianë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.