Tenderët i “peshojnë” rëndë buxhetit – Cilat janë shkeljet më të shpeshta që konstatohen me fondet publike
Vit pas viti Kontrolli i Lartë i Shtetit përmes auditimeve të bëra ka nxjerr në pah edhe shkeljet e mëdha në procedurat e tenderimit, ku dëmi që i shkaktohet buxhetit është jo i vogël. Por cilat janë abuzimet që konstatohen rëndom? Në raportin e auditimit për 6 mujorin e parë të vitit, KLSH nxjerr në pah se problematikat e konstatuara nga lidhen jo vetëm me planifikim jo të drejtë të nevojave por edhe një proces të realizuar jo në përputhje me kërkesat ligjore në fuqi.
Mangësitë i referohen implementimit jo të saktë të kërkesave dhe detyrimeve ligjore nga entet publike që prokurojnë fondet përmes sistemit të prokurimit publik, fakt që lidhet edhe me kapacitetet njerëzore jo gjithmonë profesionale, që përfshihen në realizimin e këtij procesi. Dëmi ekonomik në fushën e prokurimeve publike konstatohet si shkelje në: përgatitjen e dokumentacionit të tenderit, hartimin e specifikimeve teknike dhe kritereve të vlerësimit; llogaritjen e vlerës së kontratës; respektimin e kufijve monetar/ përzgjedhjen e procedurës së prokurimit publik; paraqitjen dhe pranimin e ofertave; hapjen dhe shqyrtimin e ofertave të paraqitura në konkurrim; në njoftimin e fituesit, në procedurat e prokurimit me një ofertues, në lidhjen e kontratave dhe marrëdhëniet me nënkontraktorët, arkivimin e dosjeve për tenderët e zhvilluar; zbatimin e kontratave nga kontraktorët në përputhje me kushtet e përgjithshme etj.
Në total, sipas KLSH për periudhën janar – qershor 2020, vetëm nga auditimi i procedurave të prokurimit ka një dëm ekonomik në shumën e 2.7 milionë eurove mijë nga të cilat vlera më e lartë regjistrohet në procedurën prokurimi dhe më e ulët gjatë zbatimit të kontratave dhe dorëzimit të punimeve.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.