Tenderët, masa për 23 anëtarë komisionesh – APP, hetim administrativ: Shkelje me fondin limit dhe konfliktin e interesit
Agjencia e Prokurimit Publik kërkon marrjen e masave disiplinore për 23 anëtarë të komisioneve të verifikimit të ofertave, pas konstatimit të një sërë shkeljeve të bëra në tenderët me vlerë të vogël. Kërkesa bazohet në rezultatet e një hetimi administrativ të realizuar përgjatë vitit 2018 në 8 procedura , pas evidentimit të mangësive dhe veprimeve e mosveprimeve të institucioneve shtetërore, në kundërshtim me legjislacionin e prokurimit publik.
Vlerësimi i ofertave në kundërshtim me kriteret e përcaktuar në ftesën për ofertë, mospërcaktim ose mosrespektim i afatit të dorëzimit të ofertave apo mungesë e argumentimit të kritereve të përcaktuar në ftesën për ofertë janë disa prej shkeljeve të konstatuara gjatë hetimit. Gjithashtu, në disa procedura prokurimi nuk rezultoi asnjë dokument i administruar në dosje lidhur me argumentimin dhe përllogaritjen e fondit limit, ndërsa nga ana tjetër në pjesën më të madhe të procedurave të verifikuara rezultoi mosdeklarim mbi gjendjen e konfliktit të interesit nga anëtarët e komisionit të prokurimit me vlerë të vogël, ndonëse ky është një detyrim ligjor.
Megjithatë, ajo që vlen të theksohet është fakti se numri i procedurave të monitoruara nga Agjencia e Prokurimit Publik është tejet i vogël, në raport me numrin total të tenderëve me vlerë të vogël të zhvilluar përgjatë vitit 2018. Sipas të dhënave të këtij dikasteri në total u përfunduan rreth 15.000 procedura, ndërsa vlera e prokuruar ishte mbi 4.3 mld lekë.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.