Tenderi/ Plazhi i Velipojës me ndriçim LED të teknologjisë së fundit! Ulet me 68 % shpenzimi për energjinë

Bashkia e Shkodrës ka hapur tenderin për rehabilitimin e ndriçimit të lulishtes Plazh – Velipojë.
Fondi limit është 7 milionë e 623 mijë lekë dhe afati për dorëzimin e ofertave është 26 prill 2022.
“Vendndodhja e investimit të ndriçimit ndodhet në zonën bregdetare të Bashkisë Shkodër. Objekti në fjalë është lulishtja e qendër të plazhit turistik Velipojë dhe i shërben si ambjent rekreativ mijëra turistëve çdo vit.
Sipërfaqja totale e lulishtes që do të ndriçohet është 28000m2. Aktualisht kjo lulishte ka një ndriçim ekzistues i cili është i dëmtuar rënde si nga kushtët klimatike të terrenit në fjalë, ashtu dhe nga dëmtimet fizike të realizuara ndër vite.
Teknologjia e vjetëruar si dhe gjendja e aktuale e ndriçimit, e bëjnë të pamundur angazhimin për një riparim efektiv. Si pasojë e sa u tha më lart, u vendos të investohet në rindertimin nga e para e ndriçimit të kësaj lulishteje sipas standarteve të ndriçimit SSH EN 13201:2015” shkruhet në dokumentet e tenderit.
Ndriçimi i lulishtes ështe menduar te bëhet me 80 shtylla metalike me lartësi 5.5 m (ose 5 m nga niveli i tokës), që në zhvillimin linear do të vendosen në distancë 12-20 m.
Në këto shtylla do të vendosen ndriçues LED të teknologjisë së fundit, të përshtashëm për ndriçim lulishtesh dhe shëtitoreje.
Ndriçuesi i lulishtes është menduar të jetë LED me fuqi 50W, ku do të ketë në dalje 5000 lm efektive. Ky ndriçues do të jetë i formës konike me hapje drite 360º në planin horizontal dhe 160º në planin vertikal. Llampa e ndriçuesit do të mbulohet me xham plastik rezistent ndaj kushteve atmosferike.
Në krahasim me ndriçuesit ekzistues, kursimi i energjisë do të jetë në masën 68%, dhe duke përfituar një ndriçim më cilësor.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.