Tentoi të transferonte paratë jashtë shtetit, Policia sekuestron llogarinë bankare me 400 mijë dollarë
Policia e Shtetit ka njoftuar se në bashkëpunim me Prokurorinë, Seksionin për Pastrimin e Parave dhe Policinë Kriminale ka vendosur sekuestro preventive të një llogarie bankare në shumën e 400 mijë dollarëve.
Llogaria i përkiste shtetasit me iniciale A.G, i cili ishte edhe administrator i një SHPK-je. Shuma u bllokua pas tentativës së bërë nga shtetasi për të transferuar paratë në Australi në llogari të vëllait të tij.
Shtetasi dyshohet për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” dhe “Ushtrim pa licencë i veprimtarisë financiare”.
Njoftimi i policisë
Vendoset sekuestro preventive për një llogari banke në shumën 400 mijë dollarë.
Sekuestroja preventive ndaj një llogarie bankare të administratorit të në një shoqërie SHPK, pas hetimit të nisur nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave në DVP Tiranë, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave në DVP Tiranë kishin dërguar materialet paraprake hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila regjistroi procedimin penal për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” dhe “Ushtrim pa licencë i veprimtarisë financiare”.
Në zbatim të këtij procedimi, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tirane, për identifikimin dhe gjetjen e aseteve kriminale që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, në funksion të procedimit penal të vitit 2020 dhe vendimit të sekuestrimit datë 26.05.2020, u bë sekuestrimi i llogarisë bankare në shumën 400 mijë dollarë, në emër të shtetasit A. G., administrator i një shoqërie SHPK, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” dhe “Ushtrim pa licencë i veprimtarisë financiare” .
Vendoja e sekuestros preventive, pas tentativës së bërë nga shtetasi A. G., për transfertën e shumës jashtë vendit, në Australi, në llogari të vëllait të tij.
Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera dhe bashkëpunëtorët në këtë aktivitet kriminal.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.