Tërmeti dhe tregu financiar – BSH: Ndikimi do të jetë i kufizuar
Banka e Shqipërisë nuk parashikon pasoja të mëdha nga tërmeti i vitit të kaluar në ecurinë e sistemit financiar për këtë vit. Analiza e Bankës Qendrore vlerëson se efektet e tërmetit, në teori, mund të shtrihen kryesisht në luahtshmërinë e normave të interesit, në kursin e këmbimit valutor dhe në ecurinë e kreditimit të ekonomisë. Në ankandet e letrave me vlerë të qeverisë të zhvilluara pas tërmetit, yield-et janë luhatur në një interval të ngushtë, pa tendencë rritëse. Shtesa në deficitin e qeverisë për vitin 2020, e planifikuar pas ndodhjes së tërmetit, është rreth 10 miliardë lekë, ku rreth 7 miliardë lekë parashikohet të financohen nëpërmjet rritjes së huamarrjes në tregun e brendshëm. Kjo shumë mbetet brenda normave historike të financimit, dhe vlerësohet e përballueshme nga tregu i parasë.
Edhe kursi i këmbimit deri tani ka qenë i qëndrueshëm dhe pa luhatje të mëdha nga tendencat e zakonshme sezonale. Më tej gjatë këtij viti, rreziku për kursin mund të vijë nga ulja e të ardhurave nga turizmi, që do të ndikonte në ulje të ofertës për valutë dhe nënçmim të lekut.
Por, nga ana tjetër, tërmeti mund të sjellë një rritje të prurjeve të remitancave, me qëllim ndihmën ndaj familjeve të prekura. Kjo do të balanconte efektin e rënies së të ardhurave nga turizmi.
Për s ai takon kreditimit, ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në sektorë të prekur nga tërmeti dhe rritja e pasigurive të individëve, bizneseve apo dhe vetë bankave, mund të sjellin një frenim të rritjes së kredisë. Megjithatë, sipas Bankës së Shqipërisë, edhe nëse rreziku materializohet, kjo do të jetë një fazë e përkohshme. Nevoja për rikonstruksion dhe për zëvendësimin e kapitalit fizik mund të shoqërohet me rritjen e kërkesës për kredi bankare.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.