Testimi i infermierëve për Tiranën, dalin rezultatet – Manastirliu: 5 ditë kohë për ankimim
Këtë të dielë kanë dalë rezultatet e testimit për 526 kandidatë, infermierë, fizioterapisë dhe teknikëve të imazherisë për qarkun e Tiranës, të cilët konkurrojnë për 416 vende të lira pune në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin.
Kandidatët që kaluan fazën e parë pas aplikimit në platformën http://www.infermierepershqiperine.al u testuan të shtunën në fazën e dytë dhe përfundimtare, atë të testimit me shkrim.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu deklaroi se kandidatët kanë kohë 5 ditë për ankimimin e rezultateve.
“Të gjithë hapat e konkursit kanë qenë transparente dhe me kënaqësi konstatoj se procesi sot ka shkuar shumë mirë. Rezultatet përfundimtare do të dalin nga mbledhja e pikëve të dosjes së gjithësecilit kandidat të cilat tashmë janë të shpallura, me pikët e grumbulluara nga rezultati i testit me shkrim”.
Teza u hartua nga një komision i përbërë me pedagogë të fakultetit të infermierisë që e kanë elaboruar në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme. Testi ishte “i verbër” dhe vetëm pas korrigjimit, në prezencë të komisionit, teza çlirohet nga barcodi dhe rezultatet e sakta janë online.
Në total në të gjithë vendin janë 2450 aplikues që janë regjistruar në platformën ëëë.infermierepershqiperine.al për të konkurruar për 416 vende të lira pune në pozicionet infermierë, fizioterapeut dhe teknikë imazherie në qendrat shëndetësore dhe spitalet publike në të gjithë vendin.
Fazën e parë e kaluan 1706 kandidatë, të cilët u renditën sipas vlerësimit të dosjeve të gjithsecilit.
Pas Tiranës, testimi do të kryhet në Shkodër me datë 3 Prill për qarqet: Shkodër, Durrës, Lezhë, Dibër dhe Kukës. Testimi tjetër do të jetë në Elbasan me datë 4 Prill për qarqet Elbasan, Korcë dhe Berat. Me datë 5 Prill përmbyllen testimet në Vlorë, për qarqet Fier, Vlorë dhe Gjirokastër.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.