Tetor, rikthehet Vetting-u – Gati “vala” e dytë, në sitë drejtuesit e gjykatave e prokurorive
Pas një pauze thuajse të plotë nga 6 gushti, në tetor është lajmëruar rikthimi i seancave dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Pas përfundimit të listës me prioritet me 57 magjistratë kandidatë për organet e reja të drejtësisë, listë që tashmë është drejt fundit, Komisioni pritet të vijojë me ritëm të plotë rivlerësimin e rreth 36 krerëve të gjykatave e prokurorive të apelit në gjithë vendin, shorti për të cilët është hedhur më datë 16 janar të këtij viti. Në këtë listë bëjnë pjesë 4 kandidatë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, si dhe 10 anëtarë të Prokurorisë së Përgjithshme.
2 muaj pas tyre, më 16 mars, është shortuar një tjetër listë me 36 magjistratë, e përbërë nga krerët e gjykatave dhe prokurorive të rretheve. Sezoni i dytë i Vetting-ut, do të vijojë me një listë të tretë të shortuar më 16 maj, ku bien në sy 7 kandidatë për Gjykatën Kushtetuese, disa këshilltarë e ndihmës ligjorë të rangjeve të larta, si dhe gjyqtarët e apelit të Krimeve të Rënda.
Ndërkohë që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka bërë publike dy seancat e para që do zhvillohen më 3 tetor. E para do jetë me Ahmet Jangulli, gjyqtar në Gjykatën Administrative Shkodër, për të pasuar nga Sotiraq Lubonja, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Korçë.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.