Tirana, tërheqëse për bizneset – Në 3 muaj, regjistrohen mbi 2 mijë subjekte të reja

Mbi 2 mijë sipërmarrje të reja janë shtuar në kryeqytet vetëm në 3 muajt e parë të vitit. Sipas të dhënave të gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë e Tiranës, konkretisht janë 1683 biznese kryesore të regjistruara për herë të parë për periudhën Janar-Mars 2017, nga të cilat 93 bëjnë pjesë në kategorinë biznes i madh, 1574 si biznes i vogël, 1 biznes vip dhe 15 janë në kategorinë të tjerë.
Sa i përket subjekteve sekondare të regjistruara për herë të parë, pra biznese të ngritura nga individë që disponojnë aktualisht një sipërmarrje tjetër, janë në total 411. 177 prej tyre janë biznese të mëdha, 70 subjekte të vogla, 163 biznese vip, dhe 1 është përfshirë në kategorinë të tjerë.
Këto shifra tregojnë tendencën pozitive të zhvillimit të ekonomisë në kryeqytet dhe tendencën e qytetarëve për të pasur aktivitetin e tyre ekonomik, me qëllim vetëpunësimin dhe punësimin e individëve të tjerë.
Ndërsa gjatë vitit që lamë pas, në Kryeqytet janë regjistruar në total 16.735 biznese të reja.
Aktivitetet ekonomike që funksionojnë në kryeqytet janë të kategorive nga më të ndryshmet, por duket se ato që kryesojnë tregun janë subjektet e llojit “shitje me pakicë”, ndjekur nga njësitë e shërbimit, si hotelet, baret, restorantet, etj, “shitje me shumicë”, “njësi prodhimi”, “profesione të lira” “shoqata fondacione ente organizata”, “subjekte ndërtimi”, “transport”, etj.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.