Tjetër rast gjobëvënie/ Operacioni “BROTHERS”, 3 vëllezër në pranga. I vunë gjobë 50 mijë euro një shtetasi
Policia e Shtetit ka arrestuar 3 vëllezër të cilët i kishin vendosur një gjobë 50 mijë euro një personi. Referuar njoftimit të policisë, është finalizuar operacioni “BROTHERS” për të cilin Sektori i Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, kanë bërë një punë të organizuar disa javore duke përdorur edhe metoda speciale hetimi.
Sipas policisë shtetasit e ndaluar janë Xh. T., 23 vjeç, E. T., 32 vjeç, dhe A. T., 32 vjeç, të tre të lindur në Dibër dhe banues në Tiranë.
“Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar t’i marrin në formë gjobe një shumë prej 50 mijë euro një shtetasi, nëpërmjet kërcënimeve të vazhdueshme për jetën e tij dhe të familjarëve” njofton policia.
Gjithashtu policia thotë se materialet do t’i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë për Krime të Rënda, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” e kryer në bashkëpunim.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.