Tokat bujqësore shtetërore, raporti: Qiratë 30-99 vjet, me shkelje e të panoterizuara
Bashkimi i ish Komunave në Bashkitë e mëdha si pjesë e reformës territoriale, ka nxjerrë në pah një problem të mprehtë në lidhje me dhënien me qira të sipërfaqeve të konsiderueshme të tokave bujqësore të pandara nga ish komunat. Një auditim i kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit zbardh se në disa ish komuna, sipërfaqe të konsiderueshme janë dhënë me qira me afate kohore shumë të gjata nga 30 deri 99 vjet. Ndërkohë që konstatohen edhe raste të dhënies me qira pa i patur ato në pronësi dhe në mungesë të plotë të dokumentacionit shpesh herë edhe i pa noterizuar.
Gjithashtu, KLSH konstaton mungesë në personelin e specializuar pranë Inspektorateve të Mbrojtjes së Territorit të cilat janë krijuar tashmë në pjesën më të madhe të bashkive me qëllim kontrollin e territorit, e reflektuar kjo në dëmtime të mëdha të pyjeve dhe kullotave nga njerëzit, rënia e zjarreve etj.
“Kemi rekomanduar që të ketë një administrim të kujdesshëm të pronës duke filluar me inventarizimin e saj sipas zërave kadastralë, plotësimin e regjistrave sipas kërkesave ligjore dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore për të administruar me efektivitet sipërfaqet në pronësi të këtyre njësive të vetëqeverisjes vendore”, thekson KLSH në raportin mbi këtë auditim.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.