“Torta” e borxhit publik të Shqipërisë-Si ndahet mes euros, dollarit dhe yen-it japonez!
Pjesa më e madhe e borxhit të jashtëm të Shqipërisë është e përqendruar në tre monedha kryesore, euro, dollarë dhe yen. 53.9 % e borxhit shtetëror është borxhi i brendshëm ndërsa 46.1 % e tij është borxhi i jashtëm. E sa i përket borxhit të jashtëm, pjesa më e madhe e tij (29.9 % e totalit të borxhit) është e përqendruar në monedhën euro. Ndërkohë, 10.8 përqind e borxhit në total është e përqendruar në dollarë, 1.8 përqind në yen japonez dhe 3.6 % në monedha të tjera.
“Portofoli i borxhit shtetëror në monedhë të huaj gjatë viteve të fundit ka pasur tendencë diversifikimi në drejtim të uljes së peshës së monedhës euro dhe rritjes së peshës së monedhave të tjera. Pavarësisht këtij zhvillimi, portofoli i borxhit të jashtëm vazhdon të jetë i përqendruar në mbi 60 % në monedhën euro duke e bërë atë të ndjeshëm ndaj luhatjeve të kësaj monedhe.
Megjithatë përqendrimi i lartë i borxhit në monedhën euro gjatë viteve të fundit nuk ka krijuar kosto shtesë për shkak të mbiçmimit të monedhës vendase dhe për shkak të lëvizjes së kursit të këmbimit euro/lek përgjithësisht në drejtim të kundërt me kursin usd/lek duke neutralizuar efektet e njeri tjetrit” shkruhet në strategjinë e menaxhimit të borxhit publik 2019-2021.
Strategjia parashikon se niveli i borxhit në valutë në raport me totalin e borxhit të qeverisjes qendrore gjatë periudhës afatmesme pritet të shoqërohet me një rritje të moderuar duke qendruar ndjeshën nën kufirin strategjik prej 55 %.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.