Transparenca e financave në zgjedhje, Biba: Partitë pa adresa, nuk i kontrollojmë dot financat
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk bën dot transparencën e raporteve financiare të partive politike dhe një situatë e ngjashme pritet të jetë edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Kryetari i KQZ-së, Denar Biba, gjatë prezantimit të raportit vjetor për vitin 2016 në Komisionin e Ligjeve, pranoi pamundësinë e institucionit për të kryer vetë mbikëqyrje financiare.
Deklarata e tij u bë pas pyetjeve të kryetares së komisionit Vasilika Hysi, mbi transparencën e financimit dhe fondet e përdorura në fushata elektorale.
Një tjetër problem i konstatuar në raportin vjetor nga KQZ, është edhe vonesa në nxjerrjen e rezultatit të zgjedhjeve. Sipas kreut të KQZ-së, pengesë bëhen vetë partitë politike.
Nga ana e tyre deputetët e mazhorancës kritikuan punën e KQZ për moszbatimin e rezulutës për votimin e emigrantëve, si dhe marrjen e vendimeve për heqjen e imunitetit për deputetët dhe krerët e bashkive, duke u bazuar në mirëbesimin e kërkesave të prokurorisë, pa pasur referenca të dënimeve nga institucioni i akuzës.
Florenc Drizari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.