Transporti ndërkombëtar – Takimi në Gjermani, diskutohet liberalizimi i licencave
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mori pjesë në ministerialin e Forumit Ndërkombëtar të Transportit, që u mbajt në Lajpcig të Gjermanisë. Në fokus të takimit, ishte konektiviteti global si dhe kuotat për transportin rrugor të mjeteve transportuese të tonazhit të lartë.
Gjatë diskutimeve të mbajtura, disa prej vendeve anëtare u shprehën se, duke konsideruar rritjen e vëllimit të tregtisë dhe zbatimin e plotë të Kartës së Cilësisë, zgjidhja më e mirë do të ishte heqja e kufizimeve mbi sasinë e licencave, duke krijuar një treg të përbashkët të hapur që do i japë shtysë zhvillimit të industrisë së transportit ndërkombëtar.
Në fjalën e saj, Ministrja Balluku theksoi se heqja e rezervimeve territoriale do të përbënte gjithashtu një avantazh të shtuar, që do të nxiste rritjen e operacioneve ndërkombëtare të transportit, e veçanërisht për Shqipërinë pasi pozicioni i saj gjeografik është shumë i ndjeshëm ndaj këtyre kufizimeve.
Rachel Kyte, Përfaqësuese e Veçantë e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Energjinë e Qëndrueshme, duke ju drejtuar ministrave të Transporteve, nënvizoi se është e rëndësishme që ata të bashkëpunojnë me strukturat e duhura të energjisë me qëllim dekarbonizmin e transportit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.