Tregtia e jashtme/ Gushti njeh rënie në krahasim me korrikun. Ndikojnë negativisht tekstilet
Në Gusht 2021 eksportet e mallrave arritën vlerën 24 miliardë lekë, duke u rritur me 22,5 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe ulje me 26,0 %, në krahasim me Korrik 2021. Shifrat bëhen publike nga INSTAT, sipas së cilit, importet e mallrave arritën vlerën 61 miliardë lekë, duke u rritur me 26,2 %, në krahasim me një vit më parë dhe duke u ulur me 15,0 %, në krahasim me Korrik 2021. Krahasuar me mesataren mujore të tre viteve, 2018-2020, importet në muajin Gusht 2021 u rritën me 23,2 %. Deficiti tregtar i këtij muaji është 37 mld lekë, duke u rritur me 28,8 %, krahasuar me Gusht 2020 dhe duke u ulur me 6,0 %, në krahasim me Korrik 2021.
Gjatë muajit Gusht 2021, në rritjen e eksporteve prej 22,5 %, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +17,4 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +8,0 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +3,7 pikë përqindje. Ndërsa grupi “Tekstile dhe këpucë” ka ndikuar negativisht me -8,7 pikë përqindje. Gjatë muajit Gusht 2021, rritja e eksporteve prej 18,9 %, krahasuar me mesataren mujore të tre viteve (2018- 2020), është ndikuar nga grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +15,8 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me +3,9 pikë përqindje dhe “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +2,3 pikë përqindje. Ndërsa grupi “Tekstile dhe këpucë” ka ndikuar negativisht me -5,4 pikë përqindje.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.