Tregtia e Jashtme – Rriten eksport/importet me Maqedoninë e Veriut

Instat ka publikuar shifrat e Tregtisë së Jashtme për muajin Mars 2022 ku është vënë re rritja e importit dhe eksportit të vendit tonë me Maqedoninë e Veriut.
Referuar të dhënave, për muajin Mars 2022 Shqipëria ka eksportuar mallra me vlerë 1.228 miliard lekë në Maqedoninë e Veriut, një rritje prej 154 milion lekësh krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Për periudhën Janar-Mars 2022 Shqipëria ka eksportuar mallra me vlerë 4.909 miliard lekë, një rritje të ndjeshme për të njëjtën periudhë të një viti më parë pasi eksportet shënuan vlerën e 1.982 miliard lekëve përgjatë Janar-Mars 2021.
Importet e mallrave nga Maqedonia e veriut në vendin tonë u rritën gjithashtu për Mars 2022 duke kapur vlerën e 1.795 miliard lekëve nga 951 milion lekë për Mars 2021.
Përgjatë periudhës Janar-Mars 2022 Shqipëria ka importuar nga Maqedonia mallra me vlerë 3.663 miliard lekë, një rritje prej 1.402 miliard lekë për të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas informacionit të publikuar grup mallrat që kemi eksportuar më shumë në vendin fqinj janë materiale ndërtimi dhe metale; produkte kimike dhe plastike; minerale, lëndë djegëse, energji elektrike; ushqim dhe duhan.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.