Tregu bankar – Rriten BKT, Credins, Union dhe ABI
Bankat lokale po rrisin pjesën e tyre në treg gjatë këtij viti. Sipas të dhënave të 9-mujorit nga Shoqata Shqiptare e Bankave, Banka Kombëtare Tregtare, Credins, Union Bank dhe ABI Bank kanë vazhduar rritjen, ndërsa shumica e bankave të grupeve të huaja e kanë ulur më shumë pjesën e tyre të tregut.
Në fund të shtatorit, BKT zotëronte 27.85% të totalit të aktiveve, në rritje me më shumë se një pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë. Banka me kapital turk, por me qendër të aktivitetit të saj Shqipërinë, ka konsoliduar më tej pozitën si banka më e madhe në treg. Credins po vijon edhe këtë vit në një trajektore konstante rritëse dhe ka konsoliduar vendin e tretë në treg për nga madhësia.
Credins zotëron tashmë 12.06% të tregut, nga 11.3% që mbante në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në pesë vitet e fundit, BKT e ka zgjeruar pjesën e tregut me nëntë pikë përqindjeje, ndërsa Credins me katër pikë. Ndër bankat e tjera që po rriten me ritme të qëndrueshme në vitet e fundit janë Union Bank, që tashmë mban 3.13% të tregut dhe Banka Amerikane e Investimeve, që ka arritur në 2.85%.
Këto dy banka po vazhdojnë një cikël të qëndrueshëm rritjeje prej vitesh. Madje, ABI Bank synon të zmadhohet edhe përmes shitblerjeve dhe besohet se është në fazë të avancuar të negociatave për blerjen e filialit të NBG Bank në Shqipëri. Ndër të paktat grupe bankare ndërkombëtare që po rritet në tregun shqiptar është Societe Generale. Kjo bankë tashmë i është afruar pragut të 6% të tregut dhe është banka e pestë më e madhe në tregun shqiptar.
Ndërkohë, lista e bankave në tkurrje kryesohet nga Raiffeisen Bank, që po vazhdon strategjinë e saj të konsolidimit dhe zvogëlimit të përmasave. Pjesa e tregut e Raiffeisen ka rënë në më pak se 17%, nga 18.8% që kishte një vit më parë. Raiffeisen, sidoqoftë, ngelet ende banka e dytë më e madhe në treg. Një rrugë të ngjashme, por me ritëm më të ngadaltë po ndjek edhe Intesa Sanpaolo, me një pjesë tregu që tashmë ka zbritur poshtë 11%.
Tirana Bank ka vazhduar të humbasë terren, me një pjesë tregu që tashmë ka arritur në 5.43%. Këto banka për momentin kanë hequr dorë nga strategjitë e rritjes agresive, duke ndjekur politikat e vendosura nga grupet bankare zotëruese, që kanë si qëllim të zvogëlojnë përmasat e aktivitetit në tregjet e Europës Juglindore.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.