Tur operatori francez: “Shqipëria, surpriza më e madhe e 2017-ës” – Peizazhe të pakrahasueshme
Për AMSLAV, tur operatorin francez që organizon udhëtime në Rusi dhe Europën Lindore, Shqipëria ishte surpriza më e madhe e vitit 2017. Në një intervistë për një prej revistave më prestigjioze të turizmit, agjencia zbulon rezultatet më të mira për sezonin turistik që sapo lamë pas.
“Duhet ta pranoj se kemi patur rezultate të shkëlqyera në vendet baltike dhe në Ballkan, por surpriza e madhe ishte Shqipëria”, thotë Natacha Demoux, drejtoreshë e AMSLAV.
Më pas ajo shpjegon edhe mënyrën e marketingut të vendeve të Ballkanit.
“Për këto shtete ndërmorëm një fushatë me agjencitë mbi faktin se moti është shumë i këndshëm nga Prilli në Tetor, ndërsa frikërat mbi sigurinë nuk janë më prezente. Lufta mes këtyre vendeve ka përfunduar prej 25 vjetësh, ato janë të sigurta dhe ofrojnë një varietet peizazhesh të pakrahasueshme”, shprehet Demoux.
Ajo gjithashtu tregon për trendin e zhvendosjes së turistëve drejt autotureve, paketë ku përfshihet dhe Shqipëria, pasi gjithmonë e më tepër ata duan të eksplorojnë.
Vendi ynë është renditur mes destinacioneve të këtij tur operatori prej disa vitesh tashmë, ndërsa këtë sezon programi përfshinte dy ture 8 ditore të orientuara drejt qyteteve me trashëgimi historike, kulturore dhe arkeologjike .
Çmimi bazë për person në një organizim në grup prej 2-3 vetash ishte 810 në pranverë e vjeshtë, deri në 850 euro për muajt Korrik dhe Gusht.
Krahas trashëgimisë kulturore dhe arkeologjike, në paketat e udhëtimit një vëmendje e veçantë i kushtohej edhe historisë, gatimit e birrave.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.