Turizëm me festat lokale – Klosi, apel tur operatorëve: Shtoni ofertën për turistët e huaj
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi ka kërkuar nga tur operatorët të shtojnë ofertën turistike, duke përfshirë të gjitha festat lokale në paketat e tyre për turistët e huaj. Teksa mori pjesë në festën e verës të organizuar në shëtitoren e Golemit, Klosi tha se këto lloj aktivitetesh prodhojnë jo vetëm para e punësim, por edhe oferta të ndryshme turistike.
“Pas pak ditësh do të bëjmë festën e akullores me bashkinë e Durrësit. Me bashkitë e tjera do të organizojmë festa lokale që kanë të bëjnë me kantinat dhe agroturizmin. Unë ju ftoj që gjithë tur operatorët që kanë një ofertë më shumë. Është oferta që vjen nga të gjitha produktet bujqësore, nga të gjithë poseduesit e agroturizmit të cilët kanë një ditë të caktuar kur do të bëjnë një festë, ku do të ofrojnë produktin e tyre, do të kenë një alternativë më shumë përgjatë sezonit turistik,” tha ai.
Sipas Klosit, organizimi i festave lokale ka disa qëllime. “Qëllimi i parë është që ne të japim sa të kemi mundësi audiencë dhe evidentim te produkteve vendase dhe besoj që këto kantina do të kenë sot një mundësi të mirë për të tregtuar produktet e tyre dhe besoj që me lejen e bashkisë së Kavajës dhe të Durrësit të jenë për një afat më të gjatë sesa një ditë që të kenë mundësinë që shumë turistë të huaj që kanë ardhur t’i testojnë produktet e vendit.”
Festa lokale në Golem “Venë dhe verë” mblodhi bashkë dhjetëra kantina të zonës së Shqipërisë së mesme dhe qindra turistë të cilët degustuan shijen e verës shqiptare.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.