Unaza e Madhe – Veliaj: Gati në shtator, mbyllen hyrje/daljet e paligjshme
Në shtator Unaza e Madhe e Tiranës do të jetë funksionale për qytetarët. Për pak ditë pritet të hapet edhe segmenti më i rëndësishëm i saj, i cili lidh zonën e “Pallatit me Shigjeta” me Farkën, duke i dhënë zgjidhje kështu problemit të trafikut.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet duke e quajtur një projekt jetik për qytetin.
Kryebashkiaku bëri të ditur se Bashkia e Tiranës do të nisë aksionin për mbylljen e të gjitha hyrje/daljeve të paligjshme në akset kryesore rrugore të qytetit, të cilat janë një burim rreziku për jetën e qytetarëve.
“Bashkia e Tiranës do të fillojë një operacion për të mbyllur të gjitha ndërprerjet e paligjshme në autostradat që janë në territorin e Tiranës, duke nisur nga autostrada Rinas-Tiranë, te rruga “Dritan Hoxha”, të gjithë akset kryesore të Tiranës. Është e pamundur që të kemi një qytet funksional, me 190 mijë makina në Tiranë, plus ato që vijnë nga rrethet, nëse në çdo 100 metra, dikush çan autostradën, dikush bën një gomisteri, dikush rrotat, dikush tjetër bën servis, dikush lavazh. Kjo nuk ka sens”, tha Veliaj.
Kreu i bashkisë kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve dhe bizneseve të ndryshme që kanë ndërhyrë në akset rrugore, të bashkëpunojnë dhe të rikthejnë rrugën në gjendjen e mëparshme përpara se të mbërrijnë përfaqësuesit e institucioneve ligjzbatuese.
“Na duhet shumë bashkëpunim dhe u bëj apel të gjithë bizneseve dhe qytetarëve, që në mënyrë të paligjshme kanë çarë akset kryesore të rrugëve, që t’i rikthejnë në gjendjen e mëparshme, përpara se të paraqitet Policia e Shtetit dhe ajo Bashkiake. Është shumë e rëndësishme që këto investime t’i ruajmë. Një pjesë e madhe e trafikut na shkaktohet vetëm nga çarjet e paligjshme në shtratin e rrugës. Është shumë e rëndësishme që këto çarje të mbyllen dhe të kemi një akses të lirshëm të trafikut në qytetin e Tiranës”, shtoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Veliaj njoftoi se me nisjen e vitit të ri shkollor në muajin shtator do të rikthehet edhe rregulli i qarkullimit për automjetet që bëjnë furnizimin e njësive tregtare në kryeqytet, duke i dhënë përparësi lëvizshmërisë së nxënësve.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.