“Urgjencat” nën vëzhgim! Shpallet tenderi për ambulancat. Sistem GPS dhe “buton paniku”
Ambulancat e të gjitha rajoneve të Shqipërisë do të jenë nën monitorim brenda pak kohësh. Urgjenca Mjekësore ka shpallur tenderin në APP, me një fond 7.85 milionë lekë, të vënë në dispozicion të projektit. Por, si konkretisht do të monitorohet “rrugëtimi” i autoambulancave?
Sipas detajeve teknike të tenderit, sistemi që do të vendoset do të ofrojë komunikim audio të Ambulancave me sallën operative të Urgjencës.
“Në rastet që do të ketë emergjenca, me anë të butonit të panikut personeli i ambulancës do të komunikojë me sallën operative në kohë reale” sqarohet më tej në tender.
Por, nga ana tjetër, audio nuk do të jetë i vetmi shërbim që sistemi i lidhur me pajisjen GPS do të ofrojë.
“Sistemi duhet të ofrojë shërbimin e fotografive në kohë reale të mjeteve motorike me një kamera të instaluar në mjet dhe të ketë të integruar një memorie të brendshme SD CARD për rastet kur nuk mundet të transmetohet pamja.
Të ketë mundësi fotografimi në rastet e alarmeve, të ndezjes dhe fikjes së mjetit, në rastet kur ka emergjenca dhe të bëjë fotografi periodike nga një kohë që e përcakton administratori i sistemit” shkruhet në tender.
Këto shërbime do të mundësohen në një kontratë 12 mujore, me subjektin fitues të tenderit. Ndër pikat që do të ndryshojnë funksionimin e tanishëm të ambulancave është informacioni mbi historikun e lëvizjeve të ambulancave, njoftimin me mesazh në raste alarmesh, raportim mbi çdo veprimtari, alarm për mosprezencë, për qëndrim të gjatë në një kohë të caktuar, për shkëputje baterie, dalje apo hyrje jashtë kufijve të Shqipërisë, etj.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.