Vendet e lira të punës – SHKP: Si aplikohet online për ofertat në 65 qytete
Të gjithë personat e interesuar mund te aplikojnë online për vendet e lira të punës, që shpall Shërbimi Kombëtar i Punësimit në 65 qytete. Faqja zyrtare e këtij institucioni puna.gov.al ju jep mundësinë e kandidimit, pa u paraqitur në zyrat e punës, por paraprakisht duhet të jeni të regjistruar në sistem për të kryer këtë procedurë.
Kjo pasi, në rastin kur nuk keni krijuar ende llogarinë personale, keni të drejtë të vizitoni të gjitha ofertat, por nuk ju jepet mundësia e aplikimit për një vend pune. Këtë të drejtë e merrni pasi keni krijuar profilin e punëkërkuesit, i cili përmban të dhëna bazë si: emri, mbiemri, ditëlindja, numri i kartës së identitetit apo adresa e postës elektronike.
Pas regjistrimit të këtyre të dhënave, sistemi dërgon automatikisht fjalëkalimin në adresën e postës elektronike, i cili mundëson aksesueshmërinë në faqe si dhe aplikimin për vendet e lira të punës. Gjithashtu, sistemi të mundëson të shtosh edhe informacione mbi shkollimin, eksperiencat në punë, aftësitë mbi gjuhët e huaja, njohuritë kompjuterike, etj.
Ndërkaq, ju mund të përzgjidhni edhe 3 profesione ku dëshironi të punësoheni, çka ju mundëson ardhjen automatikisht të ofertave në kutinë e mesazheve, që përputhen me profesionin tuaj. Sa i takon vendeve të punës, ka një larmishmëri profesionesh e zanatesh, duke filluar nga psikologët, kamerierët, recepsionistët në hotele, sekretarë, nëpunës banke, ekonomistë, etj. Aktualisht, në sistemin online të Shërbimit Kombëtar të Punësimit janë regjistruar mbi 37. 500 vetë.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.