Vendi vakant i anëtarit të Autoritetit të Konkurrencës, Komisioni i Ekonomisë shqyrton të marten 2 kandidaturat

Komisioni parlamentar i Ekonomisë ka parashikuar të shqyrtojë të marten kandidaturat për vendin vakant në Autoritetin e Konkurrencës. Këshilli i Ministrave ka depozituar në Kuvend 2 kandidatura alternative për 1 vend vakant në Autoritet. Referuar ligjit, Autoriteti i Konkurrencës përbëhet nga pesë anëtarë, dy prej të cilëve propozohen nga Këshilli i Ministrave me kandidatura alternative. Në këto kushte, kur ka vakancë, Këshilli i Ministrave ka propozuar kandidaturat Leida Matja dhe Brunilda Licaj, raporton “SCAN”
Do të jetë Kuvendi ai që do të përcaktojë me votë se cila do të jetë kandidatura fituese për vendin vakant të anëtarit të Autoritetit të Konkurrencës.
Leida Matja është diplomuar në fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës dhe mban gradën shkencore “Doktor i shkencave”. Matja ka një përvojë të gjatë në jetën akademike, duke kryer një sërë detyrash të rëndësishme si pedagoge në fakultetin e Biznesit, universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës.
Kandidatura tjetër, Brunilda Licaj është diplomuar në fakultetin e Biznesit, Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës. Ajo mban gradën shkencore “Doktor i shkencave”. Edhe Licaj ka një përvojë të gjatë në jetën akademike, duke kryer një sërë detyrash të rëndësishme si pedagoge në fakultetin e Biznesit, universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës. Gjithashtu, ajo ka përvojë edhe në menaxhim e drejtim të projekteve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.