Vidhnin banesa dhe automjete në Tiranë dhe Europë – Policia arreston 5 shtetas

Policia e Shtetit njofton se në vijim të punës së pandërprerë nga strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 4 dhe në zbatim të planit të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së banesave dhe të automjeteve, bazuar në informacionet e marra përgjatë punës hetimore dhe në rrugë operative, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Alliasi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasve: K. Q., 23 vjeç, i dënuar më parë, dhe G. B., 19 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Policia bën me dije se arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi u kapën në flagrancë duke tentuar të vidhnin në banesën e një shtetasi në rrugën “Selaudin Bekteshi” si dhe dyshohet se kanë vjedhur edhe banesën e një shtetaseje në Lanabregas.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas janë autorë edhe të disa vjedhjeve të tjera të banesave në territorin e Komisariatit të Policisë Nr. 4 ndaj po vijon puna hetimore për dokumentimin e tyre me prova ligjore.
Sipas njoftimit po në kuadër të operacionit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit V. K., 33 vjeç, banues në rrugën “Bajram Curri”, i dënuar më parë pasi u kap në flagrancë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 Tiranë, në rrugën “Kosovarët” pasi 33-vjeçari ishte në ndjekje nga shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Nr. 4, pasi kishte vjedhur një automjet “BMË”, në pronësi të një shtetasi me banim në rrugën “Myslym Keta”.
Gjithashtu, po në kuadër të operacionit u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Kallëzimi i rremë” dhe “Moskallëzim krimi” i shtetasve: A. K., 47 vjeç, banues në Tiranë dhe F. L., 48 vjeç, banues në Tiranë, të dy të dënuar më parë për vrasje dhe vjedhje.
Po në njoftimit e Policisë shkruhet se shtetasi A. K., në vitin 1997, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka vrarë me armë zjarri, një shtetas, në zonën e Laçit dhe për këtë ka kryer 18 vite burgim. Shtetasi F. L. ka kryer 16 vite burgim në Itali, për vrasje.
Këta shtetas, pasi kanë vuajtur dënimin me dy vite burg në Zvicër, për vjedhje, nga viti 2018 deri në vitin 2020, janë dëbuar nga Zvicra dhe janë kthyer në Shqipëri. Nga hetimet rezulton se këta dy shtetas, së bashku me një shtetas tjetër që aktualisht ndodhet në Angli, ushtronin veprimtarinë kriminale në fushën e vjedhjes në Itali e Zvicër, në formën e një grupi kriminal. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna hetimore për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal të këtyre personave.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.