Vidhte me dhunë varëset e floririt – Policia arreston shtetasin në flagrancë
Policia e Shtetit ka zbardhur tre raste të vjedhjes me dhunë të varëseve të floririt në qytetin e Elbasanit.
Sipas njoftimit, Policia ka realizuar me sukses operacionin policor të koduar “Floriri duke arrestuar në flagrancë një 32-vjeçar.
Policia në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e vjedhjes me dhunë nga qafa të varëseve të floririt, si dhe për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, tha se është marrë informacion se një shtetas në kohë dhe vende të ndryshme realizonte vjedhje te varëseve te floririt nga qafa të shtetaseve në Elbasan.
Sipas njoftimit, Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan në kuadër të operacionit “Floriri”, kanë bërë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit G.V., 32 vjeç, banues në Elbasan. Arrestimi u bë pasi në lagjen “5 Maji” Elbasan, dyshohet se ka vjedhur me dhunë varësen nga qafa të një shtetaseje që po kalonte në rrugë.
Policia e Shtetit tha se nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se ky shtetas është autor edhe i 2 vjedhjeve të tjera me dhunë, konkretisht: më datë 15.05.2019 në lagjen “Luigj Gurakuqi” Elbasan, dyshohet se i ka vjedhur me dhunë varesen e floririt shtetases A. B. Dhe më datë 10.06.2019 në lagjen “5 Maji” Elbasan, dyshohet se ka i vjedhur me dhunë varësen e floririt shtetases V.B.
Gjithashtu njoftimi bëri me dije se po vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjeve të tjera të vjedhjes me dhunë që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas, si dhe identifikimin e personave të tjerë me të cilët bashkëpunonte për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.