Viti zgjedhor uli detyrimet e prapambetura të qeverisë – Janar-Qershor, Raporti: Në rritje borxhet për investime të Ministrive, u dyfishuan nga marsi
Totali i detyrimeve të papaguara të Qeverisë ka shënuar trend rënës gjatë gjithë këtij viti, me gjithë një rritje të ndjeshme të borxhit të dikastereve qendrore. Ministria e Financave raporton se totali i detyrimeve të papaguara deri në qershor të këtij viti rezulton 18 miliardë lekë, afërisht 180 milionë dollarë, rreth 20 milionë dollarë më pak se në mars të këtij viti, kur totali i tyre arrinte në afërisht 20 miliardë lekë afërisht 200 milionë dollarë.
Ulja u shënua gjatë periudhës parazgjedhore, kur Qeveria shleu thuajse tërësisht rimbursimet e TVSH-së ndaj bizneseve. Në fakt, TVSH-ja e parimbursuar në fund të qershorit rezulton në nivele shumë të ulëta, afërsisht 17 milionë dollarë.
Ndërkaq trend të kundërt ka pasur borxhi i Qeverisjes Qendrore, i cili nga rreth 79 milionë dollarë në muajin mars, ka kërcyer në 97 milionë dollarë në fund të qershorit. Thuajse e gjitha shtesa e këtij borxhi i takon zërit të investimeve, i cili është edhe më i larti në treguesit e detyrimeve të papaguara të qeverisjes qendrore.
Institucionet qendrore në qershor thuajse kanë dyfishuar detyrimet e prapambetura në raport me marsin e këtij viti: nga rreth 20 milionë dollarë në mars, ato rezultojnë afërisht 40 milionë dollarë në fund të qershorit. Ndërkaq detyrimet për shlyerjen e vendimeve gjyqësore të fituara nga të larguarit nga puna në administratë vijojnë të mbeten mjaft të larta edhe për këtë vit. Totali i tyre rezulton 3.7 miliardë lekë apo afërisht 37 milionë dollarë në fund të qershorit.
I ndarë sipas institucioneve, rezulton Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përgjegjësja kryesore për stokun e detyrimeve të prapambetura, me një total prej 4.3 miliardë lekësh, afërisht 43 milionë dollarë, e ndjekur nga Ministria e Financave me rreth 23 milionë dollarë. Sa i përket detyrimeve të prapambetura të qeverisë vendore, ato mbeten në të njëjtat nivele me 3 muajt e parë të vitit, me një total prej rreth 66 milionë dollarësh.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.