Vlerësimi i pasurive të paluajtshme, si mund të merret licenca për çdo kategori. Dokumentet dhe procedura për aplikim

Të gjithë personat që duan të aplikojnë për licencë për ushtrimin e aktivitetit në fushën e vlerësimit të pasurive të paluajtshme, mund ta marrin këtë shërbim duke iu referuar faqes “e-Albania”. Ky shërbim elektronik iu mundëson individëve të aplikojnë on-line për t’u pajisur me licencë për herë të parë (shkalla e dytë), për ushtrimin e aktivitetit në fushën e vlerësimit të pasurive të paluajtshme. Pajisja e individëve dhe subjekteve me licencë për ushtrimin e aktivitetit në fushën e vlerësimit të pasurive të paluajtshme, mbështetet në vendimin Nr.100, datë 04.02.2015, të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullores për kriteret dhe procedurat e licencimit të subjekteve për ushtrimin e aktivitetit në fushën e vlerësimit të pasurive të paluajtshme”.
Pajisja me licencë si vlerësues i ndërtesave dhe tokës truall
Individi apo vlerësuesi i shoqërisë, që kërkon të pajiset me licencë, si vlerësues i ndërtesave dhe tokës truall, duhet :
-të jetë diplomuar pas kryerjes së studimeve universitare, të ciklit të dytë “Master” (ose ekuivalent të këtij cikli), në degët e Inxhinierisë, Ekonomisë, ose Arkitekturës
-të disponojë certifikatë për kryerjen e programeve të studimit të vazhduar pasuniversitar, për vlerësimin e pasurive të paluajtshme për ndërtesat dhe tokën truall të lëshuar nga institucionet e arsimit të lartë, të licencuara sipas dispozitave ligjore e nënligjore në fuqi për kryerjen e këtyre programeve, të konfirmuara nga ministria përgjegjëse për arsimin dhe shkencën, ose ka kryer njohjen zyrtare të certifikatave të lëshuara nga institucionet e huaja pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Pajisja me licencë si vlerësues i tokës bujqësore
Individi apo vlerësuesi i shoqërisë, që kërkon të pajiset me licencë si vlerësues i tokës bujqësore, i tokës pyjore, i tokës kullotë, i tokës livadh dhe i tokës së pafrytshme duhet:
-të jetë diplomuar pas kryerjes së studimeve universitare, të ciklit të dytë “Master” (ose ekuivalent të këtij cikli) në Universitetin Bujqësor (degët “Agronomi/Ekonomi) apo Inxhinierisë Pyjore
-të disponojë certifikatë për kryerjen e programeve të studimit të vazhduar, për vlerësimin e pasurive të paluajtshme për tokë bujqësore, tokë pyjore, tokë kullote, tokë livadh dhe tokë e pafrytshme, të lëshuar nga institucionet e licencuara, sipas dispozitave ligjore e nënligjore në fuqi, për kryerjen e këtyre programeve të konfirmuara nga ministria përgjegjëse për arsimin dhe shkencën, ose ka kryer njohjen zyrtare të certifikatave të lëshuara nga institucionet e huaja pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Gjithashtu, individi / vlerësuesi i shoqërisë, që kërkon të licencohet duhet:
-të mos jetë i dënuar nga organet gjyqësore për çështje që kanë lidhje me ushtrimin e aktivitetit profesional si vlerësues dhe të mos jetë në periudhën e ekzekutimit të një mase administrative të mëparshme, kundrejt licencës profesionale për vlerësim.
-të njohë dhe të angazhohet në zbatimin e kushteve dhe rregullave të kodit të veprimit të standardeve europiane.
-të plotësojë kushtet dhe kriteret specifike të kësaj rregulloreje.
• Individi, vlerësuesi i shoqërisë dhe shoqëria, në rastin e plotësimit të kritereve respektive, mund të përfitojnë licencë dhe të ushtrojnë veprimtari vlerësimi në të dy fushat.
Dokumentacioni i nevojshëm
Në formularin e aplikimit online duhet te ngarkohen të skanuara dokumentet e mëposhtme:
-Kërkesa me shkrim në formë autobiografie, profesionale, që të përmbajë të dhëna për emrin, atësinë, mbiemrin, datëlindjen, vendlindjen, adresën e plotë, vendin e punës dhe pikat e kontaktit (telefon/e-mail).
-Fotokopje të kartës së identitetit.
-Dy fotografi 4×4 cm të vlerësuesit.
-Kopje të diplomës universitare (të noterizuar).
-Certifikatë kualifikimi në fushën e vlerësimit të pasurive të paluajtshme (të noterizuar).
-Vetëdeklarim, ku individi të deklarojë se njeh dhe angazhohet të zbatojë kushtet dhe rregullat e kodit të veprimit të standardeve europiane. Gjithashtu, të deklarojë se nuk është i dënuar nga organet e gjyqësorit, në lidhje me ushtrimin e profesionit të vlerësimit.
Koha e nevojshme për marrjen e shërbimit
Koha e nevojshme për marrjen e shërbimit 30 ditë nga data e aplikimit. Për licencimin e individëve licencimi është pa afat, ndërsa për shoqëritë licenca jepet me afat sa është afati i kontratës më të shkurtër që ka shoqëria me vlerësuesit e kontraktuar, por jo më shumë se 5 vjet.
Osman Dedja/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.