Vlerësimi në Doganë tani tërësisht online – Ahmetaj: Sipërmarrja jo më kontakt me punonjësit në terren

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ka lajmëruar për lehtësimin e mëtejshëm të procedurave për sipërmarrjen, kësaj radhe në fushën e doganave.
Procedura e vlerësimit në Doganë tashmë do të jetë tërësisht online, pas 27 vitesh. Në këtë mënyrë sipërmarrja nuk do të ketë më kontakt të drejtpërdrejtë me punonjësit e doganës në terren që kryejnë këtë proces.
Vlerësimi do të realizohet në një qendër të dedikuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Sektorit të Vlerës në Qendër.
Puna e këtij sektori është e përcaktuar në procedurat standarde të miratuara së fundmi dhe do të jetë e organizuar në kanale sipas nivelit të riskut.
Klasifikimi i deklaratave doganore në kanalin blu, nënkupton se ato nuk do i nënshtrohen kontrolleve në terminale.
E gjithë procedura e vlerësimit do të jetë tërësisht online dhe transparente, duke garantuar kështu një trajtim të operatorëve në mënyrë të barabartë. Për çdo paqartësi do të mundësohet komunikimi elektronik, i cili eliminon kështu vonesat dhe keqinterpretimet dhe vlerësimi do të jetë i shoqëruar nga një raport elektronik të faktuar mes Drejtorisë së Doganave dhe Agjencive Doganore.
Në këtë mënyrë arrihet një ekulibër më i drejtë nëpërmjet kontrolleve, reduktohet korrupsioni dhe lehtësohet tregtia duke shkurtuar kohën e zhdoganimit të mallrave.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.