Zgjerohet fasha e vaksnimit. Nis procesi për të sëmurët kronikë mbi 60 vjeç, MSH: “Të regjistrohen te mjeku i familjes”
Data 12 prill do të shënojë nisjen e vaksinimit për personat e moshës mbi 60 vjeç, të cilët vuajnë nga sëmundjet kronike. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, i ka bërë thirrje të gjithë këtyre personave, por edhe atyre që janë mbi 65 vjeç që të regjistrohen pranë mjekut të familjes, në mënyrë që njihen me ditën dhe orën e vaksinimit.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave në grupmoshën 65-70 vjeç numërohen 142.324 qytetarë, çka do të thotë se nëse ecet me të njëjtat ritme si me grupmoshat e tjera të vaksinuara deri më tani edhe kjo fashë të përmbyllet për rreth 1 javë deri në 10 ditë. Ndërkaq, sa i takon të sëmurëve kronikë nuk ka të dhëna të sakta mbi numrin e tyre pa sa prej tyre janë mbi 60 vjeç, por në këtë kategori klasifikohen sëmundjet kronike të frymëmarrjes, sëmundje të rënda kardiovaksulare, diabeti, sëmundjet malinje apo sëmundjet kronike të veshkave.
Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që prej fillimit të vaksinimit antiCOVID janë kryer në total 256,848 vaksinime, prej të cilëve 182,669 vaksinime për të moshuarit. Ndërkohë që, ka përfunduara vaksinimi i bluzave të bardha dhe mësuesve që punojnë në institucionet arsimore publike. Paralelisht, po vijohet me vaksinimin e mësuesve në institucionet private, policët dhe gazetarët, teksa në total kanë mbërritur 389 345 doza vaksinë, nga të cilat 292 mijë doza i takojnë kompanisë kineze Sinovac.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.