Zhvillimi i biznesit, Denaj: Më shumë bashkëpunim me zyrat e punës dhe shkollat profesionale
Ministrja e Financave, Anila Denaj, është ndalur në qytetin e Durrësit ku ka parë nga afër gjendjen e zyrës së punës në këtë qytet.
Sipas ministres, duhet më shumë bashkëpunim midis biznesit, zyrave të punës dhe shkollave profesionale për ti dhënë ndihmë sipërmarrjes për forca pune të kualifikuara por edhe për orientimin e punëmarrësve drejtë kërkesave që ata kanë.
“E vetmja gjë që dua të theksoj është që, sidomos në qytete si Durrësi, me potencialin e madh që ofron qyteti dhe sidomos në sektorë të veçantë, por edhe shumë strategjikë, si ai i turizmit, ne mundet patjetër që të krijojmë një mundësi më të madhe për të koordinuar informacionin dhe për ta bërë atë një informacion që vjen tek ne në mënyrë më efektive, sepse edhe kjo pjesa e kostove është shumë e rëndësishme. Unë jam pozitivisht e impresionuar me numrin e personave që kërkojnë për tu trajnuar në programet tona “soft-skills”, ishin rreth 3600 persona”, theksoi Ministrja.
Ministrja Denaj gjithashtu inspektoi punimet në shkollën profesionale “Beqir Çela”, ku zhvillohen drejtimet mësimore Elektromekanikë, Termohidraulikë dhe TIK, me një numër total 1 617 nxënës.
Investimi i buxhetit të shtetit për ndërtimin e godinës së re të kësaj shkolle kap vlerën 231.5 milionë lekë.
“Janë bizneset dhe nevojat e tyre që do të orientojnë dhe strategjinë tonë të hapjes së shkollave profesionale. Zyrat e punës i shërbejnë këtij ndërmjetësimi për të kuptuar, dhe jo vetëm sot në statusin aktual, sa vende të lira pune ka, po dhe sa këto biznese mendojnë të kenë në dy- tre vitet e ardhshme, në mënyrë që kështu dhe ne të parashikojmë dhe nevojat për të ndërtuar shkolla profesionale sipas nevojave të bizneseve në rajone të ndryshme”.
Aktualisht në qytetin e Durrësit janë dy shkolla profesionale dhe mbulojnë një zonë shumë të gjerë, ndërkohë që ka një bashkëpunim dhe koordinim me Zyrën e Punës dhe Qendrat e Formimit Profesional.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.