Zhvillimi i teknologjisë – UPT bashkëpunim më Japoninë, rritet numri i studentëve me 40%
Zhvillimi i tregut dhe ekonomisë ka sjellë edhe vëmendje të shtuar ndaj zhvillimit të teknologjisë e cila tashmë po ecën me hapa të shpejtë edhe në vendin tonë. Kjo ka sjellë dhe rritjen e interesit të të rinjve për të zgjedhur këtë degë. Vetëm në dy vitet e fundit në Fakultetin e Teknologjisë dhe Informacionit pranë Universitetit Politeknik të Tiranës numri i studentëve të regjistruar është rritur me 40%. Kjo rritje sipas rektorit të këtij universiteti, Andrea Maliqari, është shoqëruar edhe me cilësinë e aplikantëve të cilët kanë mesatare të lartë.
“Këto degë janë nga degët më të preferuara në tregun e punës dhe natyrisht dhe kërkesat për të ardhur në këtë degë janë tepër të mëdha. Natyrisht ne jemi përpjekur që në përcaktimin e kuotave të ruajmë atë raport që lidhet me kapacitetet dhe mundësitë që ne kemi, por njëkohësisht duke ruajtur dhe standardet e cilësisë”, tha Maliqari.
Në këtë kuadër, Fakulteti i Teknologjisë dhe Informacionit pranë Universitetit Politeknik të Tiranës ka zhvilluar këtë të enjte konferencën ndërkombëtare të radhës në fushën e teknologjisë.
“Një bashkëpunim midis universiteteve, detyrimisht është i shoqëruar edhe me bashkëpunimin dhe partneritetin me kompanitë, të cilat janë të interesuara për të marrë dhe për të porositur kërkimin shkencor, ose problematikat që ata ngrenë. Është pikërisht kjo lidhje ajo që gjeneron vlera dhe që prezantohet me sukses në këtë konferencë”, u shpreh Maliqari.
Sipas Leonard Barollit profesor në institutin teknologjik Fokuoka në Japoni, Shqipëria ka potenciale për zhvillimin e teknologjisë, por mungojnë fondet.
“Mjafton që ti të kesh njohuri se si të përdorësh simulatorët dhe mund të bësh simulime të ndryshme, të marrësh të dhëna të ndryshme dhe t’i interpretosh. Po për anën e fondeve, Shqipëria akoma ka probleme. Shqipëria po ecën mirë se unë e shikoj nga jashtë, ka shumë zhvillim, por mbështetja financiare akoma nuk është e mjaftueshme për universitetet shqiptare”, tha profesor Barolli.
Dekani Vladi Kolici theksoi se fakulteti po përgatit më shumë inxhinierë në këtë fushë dhe vëmendja po përqendrohet te cilësia.
“Përgatisim inxhinierë që punojnë në të gjithë sektorët e IT-së në vend, në banka, në kompani të telekomunikacionit, në kompani të internetit, në televizionet dhe kudo. Nga njëra anë ne kemi kërkesat nga tregu për rritjen e numri të studentëve, nga ana tjetër ruajmë balancën e infrastrukturës për të mos humbur cilësinë. Numri i studentëve nga viti në vit rritet, për shembull në 2 vjet është rritur me 40%”, u shpreh Koliçi.
Aktualisht në degën e teknologjisë së informacionit janë regjistruar 100 studentë, nga 60 që ishin dy vite më parë.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.