Zhvlerësimi i euros – “Dhembje koke” për eksportuesit dhe fasonistët
Zhvlerësimi i euros në kursin e këmbimit valutor është një lajm i mirë për disa, por sjell dhembje koke për disa të tjerë. Të shqetësuar nga dobësimi i monedhës europiane janë kryesisht ata që shesin në euro, por që shumicën e shpenzimeve të tyre i kanë në lekë.
Të parët në listë janë eksportuesit, por jo vetëm: të gjithë ata që zotërojnë aktive të kuotuara në euro, si për shembull pronarët e pasurive të paluajtshme në shitje apo huadhënësit vendas që kanë një portofol të madh kredie në euro, me siguri nuk janë të kënaqur me zhvlerësimin e monedhës europiane.
Megjithatë, ky shqetësim është veçanërisht i theksuar për sektorin fason, që punon në bazë të kontratave të fiksuara në kohë dhe që e ka të vështirë ta korrigjojë efektin e kursit në çmimet e shitjes.
Në mesin e kësaj jave, euro zbriti në nivelin e 129 lekëve, më i ulët që nga viti 2009. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, euro këmbehej me rreth 135.5 lekë. Rënia në harkun e një viti është mbi gjashtë pikë ose pothuajse 5 për qind.
Për të kuptuar efektin e kursit në të ardhurat e sektorit të fasoneve mund të bëjmë një krahasim të përafërt mes dy tremujorëve. Kështu, një vit më parë Shqipëria përfitoi të ardhura neto nga përpunimi i mallrave me porosi nga jashtë në vlerën e 95 milionë eurove, që me kursin e marsit 2017 ishin afro 12.9 miliardë lekë.
Shifrat për tremujorin e parë të këtij viti natyrisht që nuk janë ende të disponueshme, megjithatë, nëse supozojmë se të ardhurat do të kenë vlerën e përafërt të 95 milionë eurove, vlera e konvertuar në lekë do të jetë ndjeshëm më e ulët. Me kursin e kësaj jave, të ardhurat do të ishin rreth 12.2 miliardë lekë.
Krahasuar me një vit më parë, bizneset e sektorit fason humbasin afërsisht rreth 600 milionë lekë vetëm nga zhvlerësimi i euros. Në afatin e gjatë, kjo gërryerje e bazës së të ardhurave për shkak të kursit të këmbimit do të ulë fitimet e fasonistëve dhe mund të sjellë rënie të punësimit dhe investimeve në këtë sektor.
Nga ana tjetër, një rritje e çmimeve për të kompensuar efektin e kursit do të ulte konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve shqiptare të sektorit fason në raport konkurrentët në rajon dhe më gjerë. Rrjedhimisht, zhvlerësimi i euros po bëhet një shqetësim serioz për fasonistët shqiptarë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.