$1.3 mld për qeverinë – Theresa May “blen” 10 deputetët e Irlandës së Veriut
Kryeministrja britanike, Theresa May, arriti një marrëveshje për të formuar qeverinë e re me Partinë e Irlandezëve veriorë.
Por, kjo marrëveshje është tërësisht e pazakontë. Për të marrë votat e tyre në formimin e qeverisë së re, prej vetëm 10 deputetëve, ajo ka vendosur të paguajë rreth 1.3 miliardë dollarë.
Këto para do të shpërndahen në formën e financimit shtesë për Irlandën e Veriut. Kjo marrëveshje atipike vjen dy javë pas negociatave të vazhdueshme mes dy partive.
Zgjedhjet e 8 qershorit në Mbretëri nuk prodhuan asnjë mazhorancë qeverisëse, duke detyruar konservatorët e Theresa May që të kërkojnë partner të rinj qeverisës. Irlandezët e veriut ishin zgjedhja e vetme.
Duket se në dy javë, asgjë veç parave nuk e bindi partinë e vogël të Irlandës së Veriut që të pranojë të japë votat për qeverinë e re. Marrëveshja mes Theresa May dhe Arlene Foster është tre faqe e gjatë dhe mban titullin “besim dhe mbështetje”.
Pjesë e marrëveshjes së financimit është edhe rritja e e pensioneve me të paktën 2.5% në vit për irlandezo-veriorët. Konservatorët sigurojnë se, paratë do të shpërndahen nëpërmjet një mekanizmi të posaçëm.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.