Kur çertifikohet rezultati i zgjedhjeve e ndarja e mandateve? Afatet dhe procedurat që parashikon Kodi
Përfundimi i procesit të numërimit të votave në grupet e numërimit në rajonet e vendit I hap rrugën një procesi të ri; atij të miratimit të tabelës përmbledhëse të rezultatit nga KQZ.
Referuar nenit 123 të Kodit Zgjedhor, KQZ-ja verifikon dhe nxjerr rezultatet e votimit për zonën zgjedhore për Kuvendin në bazë të tabelave të rezultateve të nxjerra nga çdo KZAZ e zonës zgjedhore përkatëse. Miratimi i tabelës përfundimtare duhet të bëhet jo më vonë se 48 orë nga mbërritja e të gjitha tabelave të zonës zgjedhore.
Vendimi i KQZ-së për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të Zonës Zgjedhore, mund të ankimohet po në KQZ, nëse ndonjë palë ka pretendime.
Kundër vendimit të KQZ-së për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të Zonës Zgjedhore, mund të paraqitet ankim po në KQZ jo më vonë se 5 ditë nga shpallja e këtij vendimi.
Për çdo kërkesë ankimore të regjistruar KQZ-ja cakton me short si relator njërin nga anëtarët e saj. Relatori bën verifikimin e ekzistencës së elementeve të formës, sipas nenit 126 të këtij Kodi dhe të elementeve të përcaktuara në nenin 130 të këtij Kodi. Rezultati i verifikimit relatohet në mbledhjen e KQZ-së jo më vonë se 24 orë nga çasti i regjistrimit të kërkesës ankimore. Seanca e shqyrtimit zhvillohet jo më parë se 24 orë dhe jo më vonë se 48 orë nga data e shpalljes së vendimit të pranimit të ankimimit.
KQZ-ja merr vendim përfundimtar, në lidhje me ankimin ndaj vendimit për miratimin e tabelës së rezultateve të zgjedhjeve, jo më vonë se 10 ditë nga data kur është regjistruar ankimi përkatës. Në çdo rast tjetër, KQZ-ja merr vendim jo më vonë se dy ditë nga paraqitja e ankimit.
Subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, Tiranë kundër vendimeve të KQZ-së, kur ato cenojnë interesat e tyre të ligjshëm.
Kolegji Zgjedhor gjykon dhe vendos për kërkesëpaditë brenda 10 ditëve nga depozitimi i kërkesëpadisë. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor është i formës së prerë. Ndaj tij nuk bëhet ankim.
Jo më vonë se 3 ditë nga përfundimi i procesit të ankimit kundër vendimit për miratimin e rezultateve të zonës zgjedhore apo pavlefshmërisë së zgjedhjeve, sipas këtij Kodi, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, mbi bazën e numrit të votave të vlefshme që subjektet kanë marrë në nivel zone zgjedhore.
Menjëherë pas përfundimit të llogaritjes së rezultatit, sipas nenit 162 të këtij Kodi, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve brenda koalicionit në çdo zonë zgjedhore, mbi bazën e numrit të votave të vlefshme që secila parti pjesëtare e koalicionit ka marrë në zonën zgjedhore përkatëse dhe numrit të mandateve që koalicioni ka fituar në zonën zgjedhore përkatëse.
Shpërndarja e mandateve, sipas nenit 162 dhe këtij neni për çdo zonë zgjedhore miratohet me vendim. Vendimi nxirret për çdo zonë zgjedhore më vete.
Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve shpallet nga KQZ-ja jo më vonë se 5 ditë nga data e shpalljes së rezultatit për shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore dhe pasi të kenë përfunduar procedurat e ankimit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.