60 sipërmarrës francezë vizitojnë Tiranën – Në fokus, krijimi i marrëdhënieve ekonomike më të ngushta
60 sipërmarrës francezë nga krahina e Lionit kanë vizituar dje Tiranën, të cilët janë pritur nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Ky i fundit i njohu ato me projektet, mundësitë e bashkëpunimit dhe mbi lehtësirat që ofron Tiranë për investime.
Presidenti i Klubit të Biznesit Francë-Shqipëri me qendër në Lion, Gazmend Toska tha se qëllimi i vizitës lidhet me krijimin e marrëdhënieve ekonomike më të ngushta midis dy vendeve, duke u ndalur edhe te investime konkrete.
“Jemi këtu me 60 sipërmarrës për të njohur Shqipërinë. Përshtypja e tyre është tejet pozitive me realitetin që ata kanë parë. Kanë qenë në Vlorë, në Berat, në Tiranë dhe shpresojmë që një vizitë e tillë të shoqërohet me vizita të tjera këtë vit dhe vitin e ardhshëm që të jemi në gjendje të krijojmë sa më shumë ura mirënjohje dhe miqësie midis Francës dhe Shqipërisë”, tha Toska.
Duke falënderuar biznesmenët francezë, Veliaj shprehu mbështetjen e tij mbi çdo ide për të bërë biznes në Tiranë. Sipas tij, një rendësi të veçantë do t’i jepet edhe bashkëpunimit mes qytetarëve, përtej marrëdhënieve mes qeverive dhe institucioneve shtetërore.
Në fund të takimit sipërmarrësit francezë mbollën edhe disa pemë në lulishten e sheshit “Skënderbej” në shenjë të miqësisë mes dy vendeve. Këtë nismë e ka përshëndetur edhe ambasadorja e Francës në vendin tonë, Christina Vasak.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.