AMA shtyn afatin përfundimtar të digjitalizimit për këto 4 qytete
Autoriteti i Mediave Audiovizive shtyn më tej afatin përfundimtar për digjitalizimin e transmetimeve analoge në qarqet Elbasan, Shkodër, Lezhë dhe Vlorë, duke vendosur datën 30 shtator 2020 si afatin përfundimtar.
Sipas njoftimit zyrtar të AMA, shkak për shtyrjen është bërë situata pandemike dhe vijueshmëria e lartë e të infektuarve të rinj.
Anëtarët e Bordit të AMA-s në mbledhjen e tyre të ditës së sotme gjithashtu morën në shqyrtim edhe informacionet e mbledhura në terren nga të katër qarqet e mësipërme. Nga të dhënat e mbledhura në terren rezulton se disa aspekte kërkojnë ende kohë për finalizimin e procesit të digjitalizimit, përmes të cilit të përfitojnë të gjithë ndjekësit e përmbajtjeve audiovizive.
Nga monitorimet e kryera rezulton se nuk ka përfunduar plotësisht infrastruktura e transmetimit. Janë instaluar pikat e transmetimit në bashkitë kryesore të këtyre qarqeve, por ndërkohë mbeten pa sinjal disa bashki të tjera. Një problematikë që u përmend ishte dhe se në të katër këto qarqe, operatorët lokalë nuk kanë mbështetur programin e tyre në rrjetin e RTSH-së apo në ndonjë rrjet tjetër privat kombëtar numerik.
Sa i takon procesit të pajisjes së qytetarëve me dekodera, ditët e fundit në adresë të AMA-s janë paraqitur mjaft ankesa nga qytetarët lidhur me grumbullime të konsiderueshme blerësish pranë zyrave postare ose pikave të ndryshme të shitjeve. Ndaj dhe një pjesë e tyre kanë kërkuar shtyrjen e fikjes së sinjalit analog.
AMA, në këtë vendimmarrje mban në konsideratë edhe kohën e cila përkon me sezonin turistik i cili është dëmtuar jo pak nga pandemia.
D.B- SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.