Amnisti, TVSH 0 për tregtinë me pakicë, rishikim të tatimfitimit e tatimi për pagat! 10 propozimet e Dhomës së Tregtisë për paketën 2018
Kuvendi ka nisur procesin e diskutimit të buxhetit dhe paketës fiskale të vitit të ardhshëm. Në këtë kuadër, grupet e interesit kanë depozituar zyrtarisht edhe propozimet e tyre. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë në bashkëpunim me Shoqatat e Biznesit (Shoqata e Prodhuesve, Shoqata e Ndërtuesve, Shoqata e Turizmit, Shoqata e Fasonit, Shoqata e Kombëtare e Grave Profesioniste, Afarsite dhe Zejtare, Shoqata e Transportit etj.,) pas konsultimeve për Paketën Fiskale 2018, kërkon të merren në konsideratë 10 propozime.
A- Për politikat fiskale propozohet sa më poshtë:
1- Të bëhet një amnisti fiskale, “tax amnesty” për legalizimin e kapitalit, deri në vitin 2015, e cila përfshin deklarimin dhe pagesën e detyrimeve për një afat 6-mujor për të gjithë kategoritë e tatimpaguesve dhe individëve me një tarife tatim 2-5%,me bazë të gjerë dhe që përfshin përveç biznesit edhe individin me përjashtim të individëve që kanë detyrim ligjor deklarimin në ILDKP..
2- Biznesi i vogël që përfshihet në TVSH, të ketë prag përjashtimi sikur sot për 5 milionë lekë për kategoritë e shërbimeve, profesioneve të lira dhe të tjera, përveç aktivitetit tregtar dhe prodhues, tregtia me pakicë të cilët kalojnë me zero për qind TVSH;
3 – Subjekte të BV me xhiro deri në 2 milionë lekë pa tatim fitimi ose zero %;
4- Subjekte të BV me xhiro 2 deri në 14 milionë lekë me 5% tatim fitimi;
5- Subjekte me xhiro më të lartë se 14 milionë lekë të jenë me tatim fitimi 10%.
6-Tatimi mbi të ardhurat, për kalimin e pasurisë ( neni-11 i ligjit nr.8438,ose pika-2.7 e udhëzimit nr.5) të jetë zero % ,për shitjen e shtëpisë (apartamentit) të parë apo ku jeton individi për më shumë se 3-vite, të gjithë shtëpitë e tjera (dyta) dhe të tjera ndërtime të jenë me tatim 5%.
7 -Taksa e pasurisë (m2) me aplikim mbi vlerën e tregut të jetë 0.05% për banesën ku jeton dhe 0.1% për apartamentet e dyta e me radhë. Taksa e pasurisë për ambientet tregtare dhe zyra të jetë 0.15%, përveç kapanone dhe magazina të cilat duhet të trajtohen me 0.05% të vlerës.
8- Tatimi mbi të ardhurat të jetë për pagat në nivelin deri 35.000 lekë 0%, mbi 35.000-335.000 lekë 10%, mbi 335.000 lekë me 20%, po kështu të ardhura nga qira dhe çdo e ardhur tjetër sipas deklaratës personale (me dysheme 5% tatim për të ardhura deri 14 milionë dhe 10% për të ardhura 14-28 milionë lekë dhe 20% mbi 28 milionë lekë).
9- Për të mundësuar dhe formalizuar punësimin e të rinjve, pagesa e kontributit për një periudhë kalendarike, 90 ditore si për studentët gjatë verës (3-muaj korrik-shtator) dhe për stazhier vitin e parë të punësimit të jetë në masën e kontributit për sigurimin shëndetësor dhe aksidenteve në punë ose në total për 3.7% të pagës bruto (sikur trajtohen sot për punonjës më me pak se 87 orë punë/vit).
10- Të hiqet kufiri i detyrueshëm për pagën minimale të përcaktuar me VKM nr,399,apo akteve të tjera n/ligjore pasi tregu i punës dhe disa aktivitete janë realisht nën këtë pagesë.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.