Apple goditet nga “ngërçi” i furnizimeve – Cook: Sezoni i pushimeve në fundvit do të jetë akoma më i dobët
Problemet me zinxhirin e furnizimit i kushtuan Apple 6 miliardë dollarë në shitje gjatë tremujorit të katërt fiskal, që dështoi të arrijë projeksionet e Wall Street, ndërkohë që ekzekutivi Tim Cook tha se ndikimi do të jetë edhe më i keq gjatë tremujorit aktual, gjatë sezonit të pushimeve. Cook tha për Reuters se tremujori që përfundoi më 25 Shtator, kishte “kufizime më të mëdha se pritej në furnizim”, si dhe ndërprerje në manifakturë të lidhura me pandeminë në Azinë Juglindore.
Ndërkohë që Apple kishte parë përmirësime të dukshme në fund të Tetort në fabrikat në Azinë Juglindore, mungesa e procesorëve ka vazhduar dhe po ndikon shumicën e produkteve , sipas Cook. Aksionet e kompanisë në Kupertino, Kaliforni, që janë rritur me gati 15% këtë vit, ranë me 5% në tregtinë e fundit. Rënia e aksioneve të Apple mund të bëjë Microsoft kompaninë me vlerën më të madhe në botë, pas rritjes së aksioneve të Microsoft, që publikoi rezultate të forta të biznesit Cloud të kompanisë.
Rezultatet e Apple ishin mikse në tremujorin e katërt fiskal, që shihet si i ngurtë përpara shitjeve të mëdha në sezonin e pushimeve në fundvit. Apple theksoi se të ardhurat dhe fitimet për tremujorin ishin 83.4 miliardë dollarë dhe 1.24 dollarë për aksion, pak poshtë vlerësimeve të analistëve. Rezultati solli një fund të vështirë për një vit me shitje sipër pritshmërive, nxitur nga iPhone 12 dhe shitjet e mëdha të kompjuterave Mac dhe ipads, për të punuar dhe mësuar në distancë gjatë pandemisë.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.