Arrest për Carles Puigdemont – Spanja lëshon mandatin, Belgjika e merr në “mbrojtje”
Spanja ka lëshuar zyrtarisht një mandat arresti për Presidentin e Katalonjës, Carles Puigdemont.
Ky i fundit, vetëm një javë më parë fluturoi drejt Brukselit pikërisht për të shmangur arrestimin, që ishte një çështje orësh, paçka se publikisht deklaroi se, nuk ishte kjo arsyeja.
Ka qenë një gjykatës i gjykatës së lartë në Madrid, ai që i ka kërkuar zyrtarisht Brukselit që të arrestojë liderin e Katalonjës, i cili është armiku numër një i Madridit, dhe njeriu që shpalli pavarësinë e rajonit, në mënyrë të njëanshme.
Puigdemont akuzohet për rebelim, separatizëm, shpërdorim të fondeve publike, mosbindje dhe thyerje të besimit në lidhje me fushatën e pavarësisë. Gjykatësi refuzoi edhe një kërkesë të Puigdemont për të dëshmuar nëpërmjet një video-konference.
Në Belgjikë ndërkohë, do të jetë një prokuror federal që do të studiojë çështjen përpara se t`ia dorëzojë atë një gjykatësi. Puigdemont ka deklaruar ndërkohë, se nuk beson drejtësisë spanjolle dhe se kërkon të bashkëpunojë me autoritetet belge.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.