Avioni më i madh në botë bëhet edhe më i madh
Kompania Airbus zbuloi ditën e Diel një version të përmirësuar të avionit më të madh për pasagjerë në botë. Në këtë mënyrë ajo përpiqet të rrisë kërkesat për superavionin, të cilat deri më tani kanë qenë të ulëta.
Ndryshimi më i madh duket të jetë dizajni i ri i krahëve anësorë, çka do të reduktojë djegien e karburantit me rreth 4%.
Modifikimet e tjera përfshijnë një shkallë të re, dhe zonën e pushimit për ekuipazhin që do të ketë më tepër vende. Airbuss po e quan këtë model të ri A380 Plus, në mënyrë të ngjashme me çfarë Samsung apo Apple quajnë modelet e tyre më të mëdha.
Prezantimi u bë në kuadër të Shfaqjes ajrore të Parist.
“A380 plus është një mënyrë eficiente për të ofruar ekonomi më të mirë dhe performancë të përmirësuar operacionale në të njëjtën kohë”, u shpreh John Leahy, në krye të shitjeve të Airbus.
Në total, ndryshimet do të sjellin një reduktim prej 13% në koston për sedilje, krahasuar me A380. Modeli i ri do të ketë edhe një peshë të shtuar maksimale për ngritjen në 578 tonë. Kjo do të thotë se mund të mbajë 80 pasagjerë më tepër, ose të fluturojë 300 milje nautike më shumë.
Airbus thotë se do të kërkojë më pak kohë mes kontrolleve, duke nënkuptuar se avioni mund të fluturojë më shpesh dhe kjo do të reduktojë edhe më tej kostot.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.