Bankat Qendrore, pa kapacitet – OECD: Kanë mbetur pa mjete. Duhen politika fiskale
Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, deklaroi se pas 1 dekade nga kriza financiare, bankat qendrore në të gjithë botën kanë mbetur pa mjete që nevojiten për të nxitur ekonominë. Angel Gurria, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës, tha se bankat qendrore të mëdha si Rezerva Federale në SHBA dhe Banka Qendrore Europiane, kanë sinjalizuar së fundmi gatishmërinë për të ulur normat e interesit. Kjo qasje vjen prej luftës tregtare mes Kinës dhe SHBA, që sipas ekonomistëve mund të ngadalësojë më tej ekonominë e dobët botërore.
Gurria tha se bankat qendrore kanë mbetur pa “municione”. “Normat e interesit qëndrojnë pranë zero thuajse kudo. Tashmë e dimë që interesat do të qëndrojnë të ulëta për më gjatë. Ky është maksimumi që bankat qendrore mund të bëjnë”, tha Gurria në samitin e G20 në Japoni. Ai shtoi se është koha që politikat fiskale të luajnë një rol më të madh në nxitjen e aktivitetit ekonomik. Sipas tij, shume vende që mund të përballojnë shpenzimet pa rrezikuar financat, duhet t’i nisin sa më shpejtë. “Shumë vende po kujdesen me borxhin. Por disa vende të tjera kanë kapacitet për të shtuar shpenzimet. Faza e radhës është koordinimi i politikave fiskale”, tha ai.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.