Beqaj: Shërbimi i ri 24 orë i urgjencës mjekësore. Brenda Prillit rinovohet flota e ambulancave në Tiranë
Shërbimi i urgjencës mjekësore, pas riorganizimit, është tashmë prezent në territor në disa pika të qarkut të Tiranës. Autoambulanca, stafi mjekësor, i përbërë nga dhënësi i ndihmës së parë, si dhe një infermier, janë të stacionuar në disa zona të qarkut të Tiranës, ashtu sikundër në të gjitha qarqet e vendit.
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, së bashku me Ministrin Tahiri, ishin në Qendrën Shëndetësore numër 6 në kryeqytet, në zonën e Kombinatit, ku panë nga afër mënyrën e re të ofrimit të këtij shërbimi. Pranë kësaj Qendre Shëndetësore është e vendosur një autoambulancë, e pajisur me staf mjekësor, e cila është e gatshme për t’ju përgjigjur thirrjeve dhe nevojave të qytetarëve në çdo moment.
“Qytetarët të jenë të informuar që në rast nevoje, autoambulanca nuk është më e vendosur në një pikë të Tiranës siç ishte deri javën e kaluar, por tashmë, rri këtu, është gjithmonë e stacionuar këtu. Nevojat që do të kenë, koha e vajtjes së autoambulancës deri tek vendi i thirrjes, tek pacienti apo qytetari i sëmurë do të jetë shumë më e shkurtër”, theksoi Beqaj.
Kreu i Shëndetësisë u shpreh se, tashmë, me riorganizimin e vendosjes në territor të shërbimit të urgjencës mjekësore, autoambulancat janë të stacionuara në disa zona në kryeqytet.
“Ne besojmë se kalimi nga një pikë për Tiranën në disa pika: Një është në Kombinat, një është tek “21 Dhjetori”, një është në QSUT, një është tek spitali i Traumës, një do të vazhdojë të rrijë aty ku është edhe sot, tek stadiumi “Dinamo”, apo edhe në pika të tjera – do të bëjnë që koha e vajtjes të jetë më e shkurtër, që ne të përpiqemi që brenda qyteteve të arrijmë në një standard të pranueshëm rreth 12 minuta”.
Beqaj, bëri të ditur, gjithashtu, se “brenda Prillit do të kemi dhe një rinovim të flotës së autoambulancave, por do të vazhdojmë të përqendrohemi shumë edhe në edukimin e vazhdueshëm të personelit në autoambulancë, që duhet të jenë ata që japin ndihmën e parë”.
Nga ana e tij, ministri i Brendshëm Tahiri, falënderoi ministrin Beqaj për këtë shërbim të ri, duke theksuar se, tashmë, banorët e zonës së Kombinatit do të mund të marrin një shërbim në një kohë shumë më të shpejtë.
Osman Dedja/ RTVSCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.