Bie kërkesa për kredi – BSH: Në T1 2021 pritet të rritet kërkesa nga individët
Banka e Shqipërisë ka publikuar vrojtimin e aktivitetit kreditues për tremujorin e katërt 2020. Bazuar në perceptimet e bankave tregtare, standardet e kreditimit për bizneset u shtrënguan gjatë tre muajve të fundit të vitit të kaluar. Bankat shtrënguan dhe kushtet e termat e kreditimit për kreditë e reja akorduar bizneseve.
Kërkesa për kredi e bizneseve u vlerësua më e ulët në tremujorin e katërt të vitit 2020, në sajë të rënies së kërkesës për kredi për financimin e investimeve dhe për kreditë disbursuar bizneseve të vogla e të mesme. Kushtet më të përkeqësuara të ofertës për kredi, si edhe mungesa e kërkesës për kredi nga ana e bizneseve kanë pasur si faktor të përbashkët perceptimin për rrezikun lidhur me situatën aktuale ekonomike e perspektivën për të.
“Për tremujorin e pare të vitit 2021, standardet e kreditimit për bizneset priten të mbeten të pandryshuara. Standarde të njëjta kreditimi, bankat presin që t’i aplikojnë mbi kreditë dhënë bizneseve të mëdha, si edhe në kreditë për financimin e investimeve. Për bizneset e vogla e të mesme, bankat presin që t’i shtrëngojnë disi standardet, ndërkohë që për kreditë për mbulimin e nevojave për likuiditete t’i lehtësojnë disi”.
Ndërkohë, bankat vlerësuan një tablo disi më ndryshe në kreditë për individët gjatë tremujorit të fundit të vitit. Kështu, standardet e kreditimit dhe termat e përgjithshme të kreditimit për individët u lehtësuan në tremujorin e katërt. Sipas gjykimit të bankave, kërkesa për kredi ishte më e ulët në këtë tremujor, kryesisht si pasojë e pakësimit të kërkesës për kredi për financimin e konsumit. “Në tremujorin e parë të vitit 2021, bankat presin kërkesë disi të shtuar për kredi nga ana e individëve, më e përqendruar në segmentin e kredisë konsumatore”.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.