Bilanci i 24 orëve të fundit/ Policia gjobit dhe ndëshkon 262 shtetas, 29 drejtues mjetesh dhe 6 njësi tregtare
Policia e Shtetit ka njoftuar se në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar 29 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti.
Sipas Policisë në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit, si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga strukturat e Policisë dhe denoncimeve të ardhura nga qytetarët janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 262 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.
“Janë proceduar penalisht 3 shtetas, 1 në Tiranë, për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë; 1 në Korçë dhe 1 Gjirokastër, për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt. Në të gjithë vendin janë konstatuar 6 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative,” bën me dije Policia.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.