Bitcoin stabilizohet – Qetësi në tregje pasi humbi 26% të vlerës në një ditë
Sesioni i sotëm tregtar duket se ka qenë një frymëmarrje për investitorët e shumtë dhe për ata që kanë vënë bast te Bitcoin. Pasi humbi një të katërtën e vlerës, në vetëm 24 orë, monedha virtuale numër një në botë ka ndalur rënien, duke u regjistruar në një rritje prej 1% gjatë orëve të para të mëngjesit të së Mërkurës.
E Marta në tregje kishte vetëm një moto: shitja e bitcoin dhe të gjithë derivateve të monedhës virtuale. I gjithë sesioni tregtar u mbyll me 26% humbje, duke bërë që kriptovaluta të prekë nivelin e 10.700 dollarëve.
E gjithë kjo çmenduri në tregje për të shitur Bitcoin, por edhe kriptovalutat e tjera është rrjedhojë e deklaratës së Koresë së Jugut se, po vlerëson të ndalojë tregtimin e tyre.
Më vonë gjatë ditës, lajme të tjera qarkulluan mbi mundësinë e Kinës që të kufizojë tregtimin e valutave virtuale. Kjo i dha goditjen përfundimtare. Në fokus të autoriteteve kineze mësohet se do të jenë platformat online të tregtimit të tyre dhe aplikacionet për telefonat celular që ofrojnë shkëmbim të kriptovalutave.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.