Bllokohet biznesi i parë – Bashkia e Tiranës nis aksionin për 173 pikat e karburantit
Nis aksioni për bllokimin e pikave të karburantëve të cilat nuk kanë licencë e as nuk kanë aplikuar për t’u pajisur me dokumentacionin përkatës. Siç kishte njoftuar më parë Bashkia e Tiranës do të vijojë punën për bllokimin e të gjitha pikave siç e parashikon ligji.
Sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave të vitit 2015 pikat e karburantit duhet të pajisen me licenca si dhe të paguajnë detyrimet përkatëse. Gjë e cila nuk është bërë për dy vite.
Nënkryetari i Bashkisë Tiranë Arbian Mazniku në një dalje për median është shprehur se të gjitha këto biznese duhet që të aplikojnë sa më parë për tu pajisur me dokumentacionin përkatës pasi aksioni i nisur nuk do të ndalet.
“Kështu nuk vazhdohet. Çdo biznes apo pikë karburanti duhet të funksionojë sipas rregullave. Duhet të vijnë pranë bashkisë që të aplikojnë, të bëjnë gati dokumentacionin përkatës dhe më pas të punojnë në mënyrë të duhur. Ose pikë karburanti me licencë, ose le të mbyllet”, u shpreh Mazniku.
Aktualisht, në Tiranë janë 173 pika që merren me tregtimin e karburantit për klientët fundorë dhe vetm tre prej tyre kanë aplikuar për pajisjen me licencën përkatëse.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.