Bota ka sot dyfishin e fëmijëve obezë që kishte në vitin 1975
Ndoshta bota mund të jetë duke u pasuruar, por ushqyerja e fëmijëve është duke u përkeqësuar. Sipas analizës së mbi 2400 studimeve, numri i njerëzve të moshave 5-19 vjeç të konsideruar obezë u rrit nga 11 milionë në vitin 1975 në 124 milionë në vitin 2016.
Po ashtu është rritur edhe numri i fëmijëve nënpeshë, nga 167 milionë në vitin 1975, në 192 milionë në vitin 2016.
Po sipas studimit, rezulton se ndryshimet kanë prekur më tepër djemtë se sa vajzat.
Po ashtu, obeziteti është rritur në ritme të ndryshme edhe sipas zonave të botës. Në paqësorin jugor, mbi 30% e fëmijëve ishin obezë në vitin 2016, ndërsa në vitin 1975, kjo shifër ishte vetëm 10%.
Ndërsa në vendet e pasura si SHBA dhe Arabia Saudite, obeziteti u shtua, por shumë më ngadalë. Por që nga mesi i viteve 2000, duket se ka mbetur në nivelin 20%, çka sugjeron se obeziteti nuk rritet pashmangshmërisht.
Nga ana tjetër, India ka normën më të lartë të fëmijëve nënpeshë, 22% për vajzat dhe 30% për djemtë. Edhe vende të tjera në Azinë juglindore dhe në disa zona të Afrikës, kanë një normë nënpeshe tek fëmijët më të lartë se 10%.
Në konkluzionet e studimit thuhet se megjithëse globalisht ka më tepër fëmijë nënpeshë se sa mbipeshë, kjo balancë mund të kthehet papritur. Shembull janë disa vende në Azinë qendrore dhe lindore, si edhe në Afrikën veriore, ku shifrat e fëmijëve të dobët u ulën, ndërsa ato të fëmijëve të shëndoshë patën ndër normat më të larta të rritjes.
Të marra së bashku, trendi nënkupton faktin se kequshqyerje nuk do të thotë vetëm mosmarrja e mjaftueshëm kalorive, por edhe marrja më tepër se ç’duhet. Sipas studiuesve, duhen hartuar politika që të sigurohen që fëmijët të hanë ushqime me vlera, por pa shumë kalori.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.